Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim dy persona, pas ngjarjes së djeshme në lagjen 13 të këtij qytetit. Sipas policisë një 37-vjeçar ka qëlluar me armë në tokë për të kanosur një 50-vjeçar për motive të dobëta dhe më pas është larguar me automjet. Për këtë është shpallur në kërkim edhe një 25-vjeçar për moskallëzim krimi, i cili ishte pasagjer në automjetin e autorit.
Njoftimi i Policisë Durrës
Dyshohet se qëlloi me armë zjarri, në tokë, ndërkohë që drejtonte automjetin, për të kanosur një shtetas, shpallet në kërkim 37-vjeçari.
Shpallet në kërkim dhe një 25-vjeçar (pasagjer në automjet), për moskallëzim krimi.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, pas kallëzimit të bërë dje, nga shtetasi D. K. se një shtetas e kishte kanosur me armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin e këtij shtetasi dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi I. N., ndërkohë që qarkullonte me automjet, me pasagjer shtetasin R. M., në lagjen nr. 13, Durrës, ka qëlluar me armë zjarri, për të kanosur shtetasin D. K., 50 vjeç, për motive të dobëta, dhe më pas është larguar me automjet.
Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit I. N., 37 vjeç dhe R. M., 25 vjeç, banues në Durrës, si dhe automjeti i dyshuar i përdorur në këtë ngjarje. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)