Janë publikuar pamjet e ngjarjes së rëndë që ndodhi pasditen e të enjtes së kaluar në Durrës, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 70-vjeçari Fadil Hunda. Për ngjarjen është arrestuar Adil Hizdri, 31 vjeç.
Në pamje duket se i moshuari dhe autori i plagosjes diskutojnë me njëri-tjetrin në rrugë. Hizdri ndodhet brenda në makinë, ndërsa Hunda qëndron i mbështetur në derën e pasagjerit. Në një moment shihet që 70-vjeçari largohet pasi qëllohet me armë që nga brenda makinës.
Sipas policisë, Hizdri ka qëlluar tri herë ndaj Fadil Hundës. Në pamjet e siguruara nga A2 CNN, shihet që i moshuari largohet por 31-vjeçar del nga makina dhe e ndjek edhe në rrugë. Gjithashtu një person tjetër shihet që përpiqet ta ndalojë.
Burime nga grupi hetimor thanë për A2 CNN se 31-vjeçari ka pasur një marrëdhënie pune me djalin e të plagosurit, i cili nuk ka shlyer pagesat ndaj autorit të dyshuar. Pasi nuk ka arritur ta zgjidhë problemin e pagesës me djalin e 70-vjecarit, pasditen e së enjtes, Adil Hizdari ka shkuar te takonte Fadil Hundën. Ky i fundit nuk e ka pritur mirë dhe ka refuzuar t’i jepte paratë që pretendonte 31-vjeçari. Në këtë moment janë nxehur gjakrat dhe pas një debati të ashpër verbal e më pas fizik, 31-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar tre herë të moshuarin. Mësohet se 70-vjeçari ka marrë dy plagë në pjesën e bustit, por për fatin e tij të mirë plumbat nuk i kanë prekur organet jetike.
Ai ndodhet ne spitalin e Durrësit nën kujdes intensiv mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka vënë në pranga autorin 31-vjeçar, Adil Hizdari, i cili ka deklaruar se këtë akt e ndërmori pasi familja Hunda që e kishte të punësuar nuk pranonte t’i jepte të gjitha paratë që kishin rënë dakord për kryerjen e punës. 31-vjeçari punonte si shofer transporti. (A2 Televizion)