Pas arrestimit të tre të rinjve të cilët rrezikuan jetën e agjenteve të antidrogës në Rrugën e Kavajës policia prangosi dhe një koleg te tyrin. Bëhet fjalë për Ervis Shkurtën, me detyrë inspektor në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Shkurta dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin prej 3 personash të cilët u kapën në momentin kur do të bënin shkëmbimin e 1 kg kokaine pranë Lidhjes së Shkrimtarëve.
Me lidhje të ngushtë me njërin prej tyre, sipas AMP, inspektori i arrestuar ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e kokainës si dhe ka pasur dijeni të plotë mbi personat dhe vendin ku do të bëhej shkëmbimi i lëndës narkotike.
Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, Eneo Sulejmani së bashku me Shkëlqim Ostrenin dhe Igli Begajn ranë në pranga teksa do shkëmbenin kokainën. Agjentët e antidrogës që ndiqnin lëvizjet e tyre sapo hynë në një rruge pa dalje i bënë shenjë të ndalojnë, por Sulejmani tentoi të largohet duke e përplasur automjetin e policisë dhe duke rrezikuar jetën e efektivëve.
Në këtë moment njëri prej tyre qëlloi në kushtet e vetëmbrojtjes duke lënë të plagosur Sulejmanin, jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet paraprake të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nuk rezultoi që efektivët e policisë të kenë bërë shkelje për shkak se atyre u rrezikua jeta. (A2 Televizion)