Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pandehur në dosjen “Gërdeci”, i tha Gjykatës së Posaçme të martën se trajtimi i municioneve ishte një kompetencë ekskluzive e Forcave të Armatosura dhe jo e Ministrit të Mbrojtjes, raporton A2 CNN. Në seancën e disatë në radhë ku shfaq kundërshtitë mbi përgjigjet e ekspertëve të akt-ekspertimit tekniko ushtarak për çështjen ndaj tij, ish-ministri ritheksoi se SPAK i ngarkonte përgjegjësi që nuk i kishte pozicioni i ministrit.
“Për çdo vendim të qeverisë ka pasur një urdhër ministri dhe pas çdo urdhri të ministrit një urdhër tjetër ose udhëzim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, kështu funksionon në ministrinë e Mbrojtjes", tha Mediu.
Më tej, ish-ministri i pandehur për “shpërdorim të detyrës” tha se kompania amerikanë SAC në Gërdec nuk ishte kontraktuar vetëm për demontim, por edhe për demilitarizim, pra për kthim të municioneve në të paefektshëm dhe të parrezikshëm.
“SAC ka kryer demontim, tha ish-ministri, duke mos kryer demilitarizim, fakt që i është vënë në dukje kompanisë. Nuk ka pasur plotësim detyrimesh nga ato që duhet të plotësonin FA”.
Duke i qëndruar argumentit për kompetenca të ndara dhe të qartë ligjore mes Ministrit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Forcave të Armatosura, ish-ministri tha se Forcat e Armatosura kanë pasur për detyrë të mbikëqyrin Gërdecin. Sipas dëshmive në proces, tha ai, funksionarë të lartë të Forcave të Armatosura kanë vizituar disa herë Gërdecin, por nuk kanë zbatuar detyrime që ka urdhëruar VKM-ja, që i hapte rrugë procesit. Disa herë gjatë seancës, ish-ministri pretendoi përgjigje të gabuara të ekspertëve dhe të pakonsultuara si duhet me aktet nënligjore përkatëse. (A2 Televizion)