Rrezikon deri në 26 vite burg, kapet në një vilë në Durrës 28-vjeçari i kërkuar nga Spanja

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2025, 14:05 | Kronikë

Për llogari të autoriteteve spanjolle, policia ka arrestuar në një vilë në Durrës, një 28-vjeçar, i cili akuzohet si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

“Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, Shërbimet Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ghost". Gjatë këtij operacioni, u kap në Durrës dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi I. M., 28  vjeç, banues në fshatin Likmetaj, Durrës”, informon policia.

Gjykata e Madridit e kishte shpallur të riun nga Durrësi në kërkim ndërkombëtar, pasi me vendimin e datës 28 dhjetor 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Organizata kriminale", “Trafikimi i narkotikëve" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale", sipas Kodit Penal të Spanjës.

Për këto vepra, dënimi maksimal që parashikohet është 26 vjet burgim. Sakaq Interpol Tirana dhe Interpol Madridi do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Spanjë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos