
Një i ri nga Tirana ka rënë në prangat e Policisë pasi krijonte llogari të rreme në rrjete të ndryshme sociale, ndërsa një tjetër shtetase është proceduar penalisht. Dy autorët dyshohet se janë të implikuar dhe në veprimtarinë kriminale në fushën e ushtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Arrestimi i tij erdhi pas një hetimi intensiv tremujor të policisë. Si rezultat i operacionit policor të koduar "The puzzle", “u bë ndalimi i shtetasit K. A., 26 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja K. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë”, njofton Policia.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vidhnin gjeneralitetet të shtetasve të ndryshëm, dhe krijonin llogari të rreme në rrjete të ndryshme sociale. Po ashtu, gjatë hetimeve ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin veprimtari kriminale në fushën e ushtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale. (A2 Televizion)