Vrasja në burgun e Peqinit, ndalohet drejtori dhe 11 efektivë të tjerë

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2023, 12:30 | Kronikë

Vrasja në burgun e Peqinit, ndalohet drejtori dhe 11 efektivë të

Pas ngjarjes së rëndë që ka ndodhur një ditë më parë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku i dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri të dënuarin tjetër Arben Lleshi, janë ndaluar 12 persona. Mes të ndaluarve për shpërdorim detyre janë drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha dhe shefi i policisë së burgut Qani Muça. Në pranga kanë rënë edhe ish- shefi i policisë së burgut Nikolin Gjonpalaj, Vilson Shima, shef i regjimit të burgut, Arben Dulellari, specialist informacioni, Fatos Pire, Ilir Balla, Florenc Mile, Genci Muça, Indrit Dubali, Klement Haka, Erjon Çela.

Njoftimi i DVP Elbasan

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, në IEVP Peqin, ku shtetasi Sokol Mjaçaj vrau me armë zjarri, shtetasin Arben Lleshi, plagosi shtetasin Indrit Shaqja (të tre këta shtetas vuanin dënimin me burgim të përjetshëm në IEVP Peqin), i cili është aktualisht në kujdesin e mjekëve, si dhe kanosi me këtë armë, punonjësit e shërbimit në këtë IEVP, ju informojmë se:

Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim", të shtetasit Sokol Mjaçaj, 28 vjeç.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", të shtetasve:

-K. H., 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;

-Q. M., 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;

-N. Gj., 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;

-V. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;

-A. D., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;

-I. B., 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;

-F. M., 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;

-F. P., 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;

-G. M., 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;

-K. H., 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;

-E. Ç., 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;

-I. D., 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.

Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, si dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vijojnë hetime intensive për të individualizuar përgjegjësinë penale të shtetasve të ndaluar, si dhe për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

NGJARJA

I dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj, gjatë kohës që ka qenë në ambientet e ajrimit, është afruar pranë dritares së qelisë ku ndodhej i dënuari Arben Lleshi dhe ka qëlluar tre herë ndaj tij.

Për shkak të distancës së afërt, plumbat e qitur nga pistoleta e Mjacajt e kanë goditur në qafë dhe gjoks të dënuarin Lleshi, i cili edhe pse mori ndihmën e parë mjekësore nuk u mbijetoi dot plagëve, duke ndërruar jetë. Në momentin e konfliktit me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, ka mbetur i plagosur me armë zjarri edhe i dënuari tjetër, Indrit Shaqja.

Pas krimit, Sokol Mjacaj ka tentuar të mbajë peng punonjës të administratës së burgut të Peqinit, por ndërhyrja e forcave operacionale të Drejtorisë së Burgjeve, e pasuar edhe nga ato të forcave RENEA dhe Policisë së Elbasanit, e kanë neutralizuar dhe izoluar të dënuarin me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj.

Ky i fundit vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, në tentativë për t’i grabitur. Përveç forcave të shumta policore, në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i Elbasanit, i cili ka marrë në pyetje menjëherë të dënuarin Sokol Mjacaj, në lidhje me këtë ngjarje.

Përveç arsyeve të konfliktit mes të dënuarve Mjacaj dhe viktimës Lleshi, një tjetër moment i paqartë është edhe fakti se si është futur brenda ambienteve të burgut arma e zjarrit që ka rënë në dorë të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos