Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 13 persona, mes tyre 10 zyrtarë dhe inspektorë të institucioneve mjedisore, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, në lidhje me leje mjedisore të dhëna në mënyrë të paligjshme.
Hetimi zbuloi një skemë bashkëpunimi mes zyrtarëve publikë dhe kompanive private që operonin në fushën e trajtimit të mbetjeve të rrezikshme.
Tre administratorë kompanish akuzohen për deklarime të rreme mbi pajisjet teknologjike për sterilizimin e mbetjeve, duke përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore pa plotësuar kriteret ligjore.
Zyrtarët dyshohet se kanë kryer inspektime fiktive dhe kanë toleruar shkelje të rënda, ndërkohë që një prej kompanive ka përfituar mbi 30 tendera në periudhën 2017–2022.
Njoftimi i Prokurorisë
Lejuan ushtrimin e aktivitetit të kompanive në shkelje të lejeve mjedisore dhe nuk kryen inspektime, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 zyrtarë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 inspektorë e zyrtarë të institucioneve mjedisore për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, duke lejuar shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore.
Në kuadër të hetimeve të zgjeruara për çështjen penale nr.1255/2024, e cila u regjistrua pas kallëzimit të gazetarit investigativ S.K., u këqyr i gjithë dokumentacioni zyrtar, u morën deklarime, si dhe u verifikuan në terren dhe u administruan provat materiale e fotografike.
Hetimi zbuloi një skemë të gjerë falsifikimi dhe shpërdorimi detyre, e cila përfshinte bashkëpunim ndërmjet subjekteve private dhe funksionarëve publikë dhe për rrjedhojë u morën të pandehur për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve (neni 186/3 i Kodit Penal) shtetasit:
• E.M., administrator i “V.R Shpk”
• E.Sh., administratore e “E.. Shpk”
• L.Sh., administrator i “S.... Shpk”
Këta shtetas akuzohen për deklarime të rreme mbi pajisje teknologjike për sterilizimin e mbetjeve, të përdorura për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore në mungesë të kapaciteteve reale.
Gjithashtu, u morën të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës (neni 248 i K.Penal) dhjetë inspektorë dhe zyrtarë të institucioneve mjedisore: J.Sh., E.P., A.M., N.D., T.P., B.S., A.K., B.L., I.B., dhe K.A..
Ata dyshohen se kanë kryer inspektime formale, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale të instalimeve në terren. Nga analiza e të dhënave rezultoi se, gjatë periudhës 2017–2022, subjekti “V. R..” ka përfituar mbi 30 tendera, duke përdorur pajisje të pasakta dhe të munguara në vendushtrim te aktivitetit, në kundërshtim me kriteret ligjore për lejet mjedisore të tipit A dhe B. Ky hetim nxori në pah problematika të rënda në zbatimin e standardeve mjedisore, mungesën e kontrolleve efektive dhe bashkëpunimin e dyshimtë ndërmjet interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse.
Të gjithë personat e përfshirë gëzojnë prezumimin e pafajësisë, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata kompetente.
(A2 Televizion)