Dy vëllezër janë vënë në pranga nga policia në Korçë pasi akuzohen se shpërndanin lëndë narkotike.
“Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Brothers”.
Shitnin doza Kokaine në lagje dhe në lokale të ndryshme, në qytetin e Korçës, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër).
Të arrestuarit, të dy dënuar më parë, njëri prej tyre për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, për disa muaj, goditën një rast të shitjes së drogave të forta, në doza.
Gjatë operacionit, në lagjen nr. 14, Korçë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me të cilin lëviznin 2 shtetas të dyshuar për shitje të dozave.
Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj shtetasve R. D. dhe A. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetase u gjet një tjetër sasi Kokaine.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
R. D., 30 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
A. D., 24 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 41.1 gramë Kokainë, 3 celularë dhe automjeti që këta shtetas përdornin për këtë veprimtari kriminale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia. (A2 Televizion)