
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon për gjykim shtetasin Ilirjan Muça për veprën penale “Pornografia”, pasi u evidentua se i pandehuri kishte në platformat e ndryshme të rrjeteve sociale si “Mobile Streaming, Tik Tok, Pinterest.com” në total 111 materiale foto dhe video me përmbajtje abuzive seksuale me të mitur në internet.
Me kërkesë të prokurorisë u miratua nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kontrolli personal dhe i banesës për autorin e dyshuar pandehurit, si dhe sekuestrimi i aparateve celular “Smartphone”, së bashku me të drejtën mbi hyrjen dhe inspektimin e të dhënave në këtë pajisje elektronike për qëllim të veprës penale “Pornografia”, shkruan A2.
Nga ekspertiza tekniko-kompjuterike për dy aparatet celular “Smartphone” të sekustruar nga kontrolli personal i të pandehurit, u arrit të zbulohen një numër i konsiderushëm foto dhe video me përmbajtje abuzive seksuale me të mitur në internet, me fëmijë në moshë të prezumuar 10-12 vjeç.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se këto materiale pornografike me të mitur kishin burime të ndyshme nga të cilat ishin ruajtur në memorien e pajisjeve elektronike, konkretisht nga komunikime “Chat” të instaluara në telefon, nga navigimi i përdoruesit në internet dhe imazhe të fiksuara direkt nga ekrani i celularit. Në total janë gjetur 30 video dhe 125 imazhe me përmbajtje pornografike me të mitur, të cilat kryesisht janë shkarkuar nga aplikacioni “Telegram”.
(A2 Televizion)