Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka sulmuar sërish prokurorin e SPAK, Ols Dado, duke thënë se ka vepruar si hetuesit e kohës së diktaturës, me rastin e tij.
“Uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur, kështu që, skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit me syrin te vrima e çelësit dhe pastaj më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit, për gjëra që po i mësoj në burg. Që të keni një ide për besueshmërinë e materialeve të llaçit që ka gatuar prokurori ndërtues, në konflikt të hapur interesi, po ju jap një detaj komik nga leximet e mia”, shkruan Veliaj në një postim në Facebook.
“Siç ju thashë, Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes. Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023. Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanet e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe SPAK-ut një turp të tillë”.
Veliaj shpjegon se ka qenë në këto zona, për shkak se gjatë vitit 2023, ka drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë. “ Mmadje, dy herë në Rrogozhinë, në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS. Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur mua në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar. Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij”.
“Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në SPAK shokët - pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore. Më falni ta mbyll me një përshëndetje vëllazërore të gjithë stafit të Bashkisë së Tiranës. Përqafime dhe shumë dashuri të gjithëve ju!”. (A2 Televizion)