Bllokimi nga Kroacia i rreth 8 ton domate të eksportuara nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të larta të preparatit shumë mbi normat e lejuara bëri që prokuroria e Beratit të nisë menjëherë hetimet.
Me urdhër të saj përfunduan në pranga tre persona, Mariglen Qorri, pronar i kompanisë eksportuese “Era Fruit”, si dhe dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Berat, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani, shkruan A2 CNN. Ky rast ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë ushqimore dhe mekanizmat e kontrollit të produkteve bujqësore të destinuara për eksport.
Sipas prokurorisë, lidhur me sasinë e domateve, ka rezultuar se pronari i kompanisë, Mariglen Qorri ka prerë një faturë blerje fiktive nga një fermer dhe e ka përdorur për praktikat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të mbajtur nga AKU Berat, duke u munduar të shmangë përgjegjësinë e tij ligjore për produktin që ka prodhuar dhe tregtuar.
Qorri është nën akuzë për veprat penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’.
Ndërsa dy inspektorët e AKU-së akuzohen se nga kontrolli që kanë kryer në kompaninë “Era Fruit” më datë 29 gusht, kanë marrë të mireqenë si të rregullt faturën fiktive të prerë nga administrator Qorri e të pa firmosur nga fermeri apo shitësi duke mbajtur mbi bazën e tij raportin e gjurmshmërisë së produktit dhe duke tjetërsuar faktet në lidhje me origjinën e produktit të konstatuar me probleme.
Ndërkohë, prokuroria e Beratit mori monstra të tjera domatesh, specash dhe kastravecash nga ky subjekt tregëtar për të bërë analizat e tyre, produkte këto të dyshuara të kontaminuara. (A2 Televizion)