I mori 8 mijë euro klientit, “arrest shtëpie” për avokatin Besart Logu! SPAK: Premtoi ndikimin te prokurorët dhe gjyqtari

Nga A2 CNN
10 Shtator 2025, 17:35 | Kronikë

I mori 8 mijë euro klientit, “arrest shtëpie” për

GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për avokatin Besart Logu, i dyshuar për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Përmes një njoftimi, SPAK bën të ditur se vendimi është marrë pas një operacioni të zhvilluar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët po kryejnë kontrolle në disa ambiente, përfshirë edhe zyrën e avokatit.

Logu dyshohet se mori 8 mijë euro për të ndikuar te prokurorë e gjyqtarë të Tiranës që të lehtësonte masën e sigurisë për një të akuzuar për mashtrim me TVSH, shkruan A2 CNN.

Njoftimi i SPAK:

Datë 10.09.2025

SPAK cakton masën e sigurisë kundër avokatit të akuzuar për korrupsion, Gjykata e Posaçme e miraton

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë miratoi më 9.9.2025, përmes vendimit nr.91, caktimin e masës “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit B. L., me profesion avokat, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo masë është kërkuar pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të cilat mbështeten në prova, se personi nën hetim ka kryer veprën penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.

Masa është ekzekutuar më 10.9.2025 me ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Procedimi penal

Në datën 27.11.2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 242, mbi kallëzimin e shtetasit me iniciale S.C, për veprat penale:

“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, (neni 319/ç i Kodit Penal);

“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (neni 245/1 i Kodit Penal).

Hetimet dhe gjetjet

Nga hetimet proaktive, të cilat u kryen nga hetuesë të Byrosë Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Drejtoria e Përgjithshme Policisë së Shtetit, rezultoi se në datën 13.12.2024, i hetuari ka marrë shumën prej 8.000 (tetë mijë) euro, (fakt i dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit).  Kjo shumë është marrë me qëllim për të ndikuar te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që kishin në ngarkim çështjen penale në ngarkim të tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Çështja kishte të bënte me veprat penale, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim“Fshehja e te ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 144/a e 25, 180/3 dhe 190/2 të Kodit Penal.

Hetimet kanë provuar se kjo shumë nuk ishte pagesë për shërbime avokatie, por një shumë e dhënë kundrejt premtimit se do t’u dorëzohej prokurorit, gjyqtarit dhe ekspertëve për lirimin nga burgu të klientit e tij, S. C.. Ky premtim nuk është realizuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos