Shkalla e Parë e GJKKO-së ka shpallur të pafajshëm ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili ishte vënë nën akuzë nga SPAK për fshehje të pasurisë.
Vendimi u dha sot, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor. Sipas trupit gjykues, "fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë", duke e rrëzuar kështu kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme.
SPAK kishte kërkuar gjykimin penal të Shkëlzen Selimit për veprën penale "Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim", e parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Pas shqyrtimit të provave dhe argumenteve të palëve, GJKKO vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e ish-gjyqtarit, duke e shpallur atë të pafajshëm.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shkëlzen Selimi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 të K.Penal.”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin Nr. 48, datë 07.07.2025 vendosi:
1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Shkëlzen K. Selimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, pg 2 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja a) të Kodit të Procedurës Penale, pasi fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë.
2. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të nenit 393 të K.Pr.Penale, mbeten siç janë kryer.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. (A2 Televizion)