Anëtari i Partisë Demokratike, Andi Mustafaj, ka kundërshtuar idenë se humbjet e opozitës lidhen vetëm me mungesën e frymëzimit nga PD-ja, duke argumentuar se realiteti shqiptar është shumë më kompleks dhe se Shqipëria sipas tij funksionon si një autokraci moderne. Në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN, Mustafaj tha se në Shqipëri i faturohen opozitës problemet e shoqërisë, ndërsa nuk i njihen arritjet apo roli i saj.
“Veprojmë sikur jemi në një demokraci funksionale të vendeve skandinave, ndërkohë që ne jetojmë brenda një autokracie moderne. Unë kam qenë në fushatë, në çdo cep të Shqipërisë dhe realiteti i qasjes me terrenin është shumë herë më i ndërlikuar dhe i vështirë sesa thjesht Partia Demokratike nuk frymëzon. Partia Demokratike ka sigurisht problematikat dhe të metat e veta. Nuk ka qenie perfekte dhe Partia Demokratike nuk ka përjashtim nga ky ligj i pandryshueshëm i natyrës, por i vetmi vend në botë që unë kam parë, unë e kam studiuar shumë, jemi i vetmi vend në botë që fajësohet në mënyrë të tillë opozita. Në qoftë se nuk frymëzon Partia Demokratike, pse nuk kanë votuar zotin Shehaj, pse nuk kanë votuar zotin Qorri, pse nuk kanë votuar zotin Lapaj? Pse nuk kanë krijuar partitë e tyre njerëzit? Pse shoqëria civile nuk është organizuar në mënyrë që të jetë vendimmarrëse? Pse sindikatat nuk kanë rol për mbrojtjen e punëtorëve? Pse policia nuk arreston mafiozët? Pse qytetarët në zonat e tyre në fshatra nuk mblidhen bashkë që të bëjnë trysni mbi bashkinë që të sjellë ujin. Kur e shtrojmë problemin në këtë mënyrë, e shohim që është shumë më ndryshe. I vendosen mbi shpatullat e Partisë Demokratike çdo lloj peshe, por nuk i njihet asnjë gjë pozitive dhe kjo është diçka që ne vuajmë. Unë e kuptoj që pritshmëritë janë shumë të larta”, tha ai në Çdo Kënd me Merita Haklajn në A2 CNN.
Sa i takon ripërtëritjes së Partisë Demokratike, ai theksoi se protesta në bulevard do të ketë ndikim në PD për ta kaluar nga një parti e frymës në një parti moderne dhe profesionale, me më shumë hapësirë për të rinjtë, ide të reja dhe metoda të reja organizimi.
“Unë jam i sigurt që kjo protestë do ketë dhe kjo ndikim në rritjen e trysnisë edhe brenda Partisë Demokratike që të ketë një përtëritje të plotë jo vetëm të personave, por dhe të ideve dhe të metodologjisë së punës. Unë kërkoj dhe kam kërkuar gjithmonë që Partia Demokratike të profesionalizohet. Kemi qenë për gjithë këto vite parti e frymës dhe jam shumë krenar që jam anëtar i një partie fryme. Por besoj që hapi tjetër për të luftuar regjimin e Edi Ramës është profesionalizimi i partisë. Pra kalimi nga një parti fryme në një parti plotësisht moderne dhe profesionale”, tha ai.
I pyetur nëse mund të mësojë Partia Demokratike nga protesta që vijon sot në ditën e 13-të, Mustafaj theksoi
“Leksione ka çdo herë për të mësuar nga çdo gjë. Leksioni kryesor i kësaj proteste është që kur qytetarët u çlirohen energjitë, ata janë shumë pozitivë dhe shumë ndërtues. Por kjo ndodhi dhe gjatë foltores, kur qytetarëve ju dha mundësia demokratëve në rastin e foltores, ju dha mikrofoni, ju dha liria për të marrë pjesë, për të folur, ata e çliruan energjinë e tyre. Mësimi është që ne duhet t'i besojmë aftësisë së individëve për t'i dalë zot vetes së tyre, t'i besojmë energjive të tyre që ata të prodhojnë më të mirën për vendin tonë. Kjo është besoj diçka shumë e rëndësishme. Duhet sigurisht të vendosim veten në pikëpyetje. Pse nuk u arrit në një moment apo një tjetër që kjo protestë të masivizohet nga Partia Demokratike. Nuk po them që janë çështje që duhen evakuar pa u trajtuar, por ka mësimet që janë pozitive që rigjen dhe tek veprimtaria jonë. Gjenden shumë lidhje nyje ndërlidhëse midis tyre”, u shpreh ai në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN.
(A2 Televizion)