Dhuna në familje vijon të përshkallëzohet në mënyrë shqetësuese në kryeqytet.
“Vetëm gjatë fundjavës, në komisariatet e policisë së Tiranës janë denoncuar 25 raste dhune familjare, një shifër kjo alarmante që tregon një plagë të thellë sociale në rritje”.
Sipas të dhënave, incidentet përfshijnë dhunë midis bashkëshortëve, dhunë ndaj fëmijëve, por edhe ndaj prindërve, si dhe konflikte të dhunshme mes të rinjve në marrëdhënie sentimentale. Disa nga rastet më të pazakonta përfshijnë të reja që kanë ushtruar dhunë ndaj partnerëve të tyre, duke sfiduar perceptimet tradicionale për rolet e dhunës në marrëdhëniet intime. Një rast i tillë u denoncua nga një i ri që deklaronte se teksa kthehej në Tiranë, në automjet është dhunuar fizikisht nga e dashura. Kjo e fundit, tashmë e shpallur në kërkim nga uniformat blu.
“Në shumë raste, janë baballarët, por edhe nënat ata që kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve të tyre, ndërsa në të tjera, çiftet bashkëshortore janë përfshirë në përleshje të ndërsjella, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit”.
Në këto kushte, lëshimi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm ishte për të dyja palët, si për gruan ashtu edhe për bashkëshortin e saj. Aktualisht, policia po ndjek çdo rast të denoncuar sipas procedurave ligjore, ndërsa disa prej tyre janë referuar në prokurori për ndjekje penale. (A2 Televizion)