Andi Mustafaj: Protesta, fitore simbolike. Ja si përkthehet në fitore politike

Nga A2 CNN
12 Qershor 2026, 21:04 | Politikë

Andi Mustafaj komentoi protestën që tashmë ka hyrë në ditën e saj të trembëdhjetë.

Në një lidhje direkte me studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, Mustafaj theksoi se kemi të bëjmë me një fitore simbolike deri tani.

“Akti më i madh për kombin është të bësh diçka për veten tënde. Në rastin e protestës, kemi njerëz me bindje politike të ndryshme dhe secili ka dalë aty për veten e vet. Dhe kjo është fitore për vendin tonë, është një hap i parë. Njerëzit janë çuar për veten e tyre, është fitore simbolike”, u shpreh Mustafaj.

“Aktualisht, jemi në një moment ku masa nuk e ka formësuar ideologjinë e saj politike në mënyrë vepruese. Nuk kemi të identifikuar një projekt politik. Si mjet, protesta rrit trysninë ndaj qeverisë për të bërë ndryshime. Por, aktualisht trysnia është e madhe simbolikisht, por jo në aspektin e detyrimit që ka regjimi i Edi Ramës”, shtoi Mustafaj.

Sipas tij, protestuesit duhet të gjejnë çelësin për ta kthyer në fitore politike.

“Edhe një regjim demokratik ndryshon kur është i detyruar të ndryshojë. Pra, kur trysnia e detyron atë ose nëpërmjet bllokimit të jetës ekonomike që ne e njohim nëpërmjet grevave që bëjnë sindikat në bllokimin e veprimtarisë ekonomike ose nëpërmjet trysnisë nëpërmjet bllokimit të veprimtarisë së shtetit. Pra, nëqoftëse shteti i pamundësohet ushtrimi i detyrës së vet atëherë detyrohet të ndryshojë. Në momentin që ne po flasim asnjëra nga këto të dyja nuk është realizuar akoma. Pra, jemi akoma në fushën e simbolikës. As jeta ekonomike nuk është e bllokuar dhe as ushtrimi i detyrave të shtetit. Dhe kjo është ndoshta çelësi më i rëndësishëm për protestuesit të gjejnë mënyrën se si mund ta përkthejnë këtë fitore simbolike më pas në fitore politike, e cila të prodhojë pasoja më afatgjata”, shtoi Mustafaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos