SPAK "merr në dorë" vrasjen e Gilmando Danit dhe Mustafa Sheqerit

Nga Armand Bajrami
13 Shkurt 2026, 17:00 | Kronikë

Ngjarja kriminale e 11 nëntorit 2025 pranë aeroportit të Rinasit, ku në një pritë të armatosur u vra në vend Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiliano Shullazit, do të hetohet nga SPAK.

Në të njëjtën ngjarje mori plagë të rënda edhe oficeri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani (Sheqeri), që ndërroi jetë pak ditë më pas në spital. Prokuroria eTiranës ka vendosur të shpallë moskompetencë të hetimit, për shkak të dyshimeve se ngjarja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.

Më tej se 2 muaj nga ngjarja, aktet e dosjes i janë përcjellë SPAK, si prokurori kompetente e veprave të kryera nga grupet kriminale.

Dyshimet se pas autorëve të ekzekutimit të Danit qëndronte një grup kriminal lindën menjëherë pas ngjarje. Kjo për faktin se, sipas pamjeve filmike të ngjarjes, janë tre ekzekutorë me rol aktiv në ngjarje, ndërsa në automjet i ka pritur një i katërt.

Po ashtu, përveç tyre, dyshohet se autorët kanë pasur informacion të saktë mbi lëvizjet e shënjestrave dhe persona që kanë vëzhguar lëvizjet e tyre pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit.

Ditën e ngjarjes, Gilmando Dani dhe oficeri i AMP, Muçi Shaljani (Sheqeri), sapo kishin mbërritur në Rinas nga Barcelona.

Ata hipën në bordin e një mjeti “Mercedes”, që kishte qëndruar disa ditë në parkimin e aeroportit, Dani si pasagjer dhe Shaljani si shofer. Pak metra larg aeroportit në hyrje të një rrethrrotullimi ata u qëlluan me breshëri nga persona ende të paidentifikuar. Pas ngjarjes, automjeti i autorëve u gjet i djegur në fshatin Haliaj të Fushë-Krujës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos