SPAK nis hetimet për skandalin tek Onkologjiku

Nga Armand Bajrami
18 Korrik 2024, 13:10 | Kronikë

Pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Tiranës për hetimin e mjekëve të Spitalit Onkologjik, të akuzuar për një skemë abuzive të transferimit të pacientëve në një klinikë private, SPAK ka marrë në dorë hetimin e rastit. Burime pranë Strukturës së Posaçme konfirmuan regjistrimin e hetimit penal për veprat penale të “korrupsionit”, “kontrabandimit të medikamenteve” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Referuar detyrimeve ligjore, SPAK ka depozituar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për verifikimin e masave të sigurisë të dhëna nga Gjykata e Tiranës për të dyshuarit. Sipas burimeve, për shkak se verifikimi i masave do të bëhet mbi të njëjtat akte hetimore të Prokurorisë së Tiranës, pritet SPAK të kërkojë vijimin e të njëjtave masa sigurie.

Gati tre javë më parë, Gjykata e Tiranës caktoi masat “arrest në shtëpi” për mjekun Edmond Gashi dhe farmacistin Florian Marku. Ndërsa për mjeken Alketa Pera, zv.drejtoreshën e QSUT, Brikena Qirjazi, koordinatorin Emiljano Lela, administratorin e klinikës private, Halil Gashi dhe ish-specialisten e QSUT, Drilona Kishta gjykata caktoi masën e “detyrimit për paraqitje”.

Sipas hetimit të deritanishëm, të dyshuarit kishin ngritur një skemë abuzive të zvarritjes së trajtimit të të sëmurëve me kancer në Spitalin Onklologjik, me qëllim dërgimin e tyre në një klinikë private. I njëjti hetim, zbuloi mosvënien në punë të pajisjes së kobalto-terapisë tek Onkologjiku, e instaluar prej vitit 2021, si edhe lënien e saj në një ambient të papërshtatshëm, duke u bërë burim i rrezikshëm radioaktivitetit për stafin mjekësor dhe pacientët. Po ashtu, nga hetimi u dokumentua kontrabandimin e ilaçeve të kancerit të spitalit dhe tregtimit e tyre në dy farmaci private. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos