Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasuri me vlerë 1 milion euro të ish-shefit të Forcave Operacionale, Oltion Bistri, i akuzuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Sipas SPAK, pas hetimit pasuror për Bistrin, është evidentuar se që nga viti 2015 e në vijim, ai dhe familjarët e afërm të tij kanë kryer disa transaksione të dyshimta në lidhje me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme në një vlerë totale rreth 1 000 000 (një milion) Euro.
Në këto kushte nga Prokuroria e Posaçme është vendosur sekuestrimi për pasuritë e mëposhtme:
1. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro, e ndodhur në Tiranë.
2. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
3. Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 125 (njëqind e njëzet e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 300 000 (treqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
4. Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 95 (nëntëdhjetë e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
5. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament banimi, me sipërfaqe totale 110.6 m2, me çmim shitje 50 300 Euro e ndodhur në Tiranë.
Bistri është arrestuar bashkë me ish-kryeprokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita, si dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka, të cilët vijojnë të qëndrojnë në qeli, të akuzuar për disa vepra penale, mes të cilave “vrasje”, “trafik narkotikësh” dhe “korrupsion i gjyqtarëve”.
Për llogari të këtij hetimi janë arrestuar gjashtë persona ndërsa nëntë të tjerë, mes të cilëve anëtarë të fisit Bajri në Shkodër, si edhe Ervis Martinaj, janë shpallur në kërkim. Sipas SPAK, ata janë përfshirë në disa episode të rënda kriminale të ndodhura në vitet 2020-2021.
Komunikimet e tyre, nën emra të koduar në aplikacionet “Sky” dhe “Encro Chat”, iu servirën SPAK nga autoritetet franceze, belge dhe holandeze të drejtësisë. Sipas prokurorisë së Posaçme, referuar përmbajtjes së bisedat të transkriptuara, të dyshuarit në role të caktuara japin dhe marrin porosi për vrasje, koordinojnë veprime kriminale, si edhe mbajnë kontakte për favore të tyre me zyrtarë të drejtësisë dhe policisë. (A2 Televizion)