Prokuroria e Posaçme SPAK thërret kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha për ta marrë në pyetje të martën e 10 qershorit, lidhur me kallëzimin e gjyqtares Irena Gjoka që ka bërë për shpifje. Mësohet se shkresa është firmosur nga prokurori Elvin Gokaj.
Sipas burimeve, Berisha ka konfirmuar se do të paraqitet për t’u pyetur në orën 10:00. Deklarimet e tij do të merren si personi që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit.
Në shkresën e siguruar nga A2 CNN kërkohet prania e Berishës para oficerit të BKH-së.
Irena Gjoka është gjyqtarja që vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha, si dhe masën e sigurisë “arrest në burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Në tetor të vitit të kaluar Gjoka i kërkoi SPAK-ut që të hetonte deklaratat e bëra nga Argita Berisha, vazja e Sali Berishës, e cila akuzonte gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar para një ish-eksponenti të Partisë Socialiste.
(A2 Televizion)