Një plagosje me thikë ka ndodhur në fshatin Çermë-Sektor të Divjakës. Policia njofton se plagosja ka ndodhur rreth orës 14:00, pas një konflikti për motive të dobëta mes dy personave. Uniformat blu kanë vënë në pranga autorin, ndërsa i plagosur ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, për një konflikt ndërmjet dy shtetasve, në fshatin Çermë-Sektor, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar, shtetasit L. M., 44 vjeç, banues në Çermë-Proshkë.
Nga veprimet hetimore të deritanishme, dyshohet se rreth orës 14:00, 44-vjeçari, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin F. B., 64 vjeç, banues në Çermë-Sektor, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, njofton Policia, përcjell A2 CNN.
Efektivët e policisë sekuestruan thikën me të cilin autori plagosi 64-vjeçarin. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)