Tensione në Dibër, PD bllokon makinën: Po blihen vota. Akuza për të shtëna me armë

Nga A2 CNN
10 Maj 2025, 22:01 | Kronikë

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga nisja e procesit të votimit, tensionet nuk janë ndalur në Qarkun e Dibrës.

Sipas raportimeve, simpatizantë të Partisë Demokratike kanë bllokuar një makinë, me dyshimin se personat brenda saj po lëviznin në zonat përreth për të blerë vota, shkruan A2 CNN. Kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, madje ka deklaruar se ka pasur edhe përplasje fizike mes palëve dhe të shtëna me armë, por policia nuk e ka konfirmuar këtë version.

“Rreth orës 20.25 shtetasi Xh.Gj., (kanditat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili pretendonte se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kanë ndaluar një shtetas që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave. Gjithashtu shtetasi Xh.Gj., paraprakisht ka pretenduar se një person teksa është larguar ka qëlluar njëherë me armë zjarri në ajër. Menjëherë është ngritur grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe të Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër po kryejnë hetimet për zbardhjen e rastit”, tha policia.

Edhe një natë më parë, mbështetës të PD bllokuan dy makina ku udhëtonin përfaqësues të PS në Maqellarë, duke i akuzuar se po shpërndanin para në këmbim të votës më 11 maj.

Policia është vënë në lëvizje në orët e vota të së shtunës pas telefonatës që ka mbërritur në Komisariatin e Dibrës nga kandidati Xhemal Gjunkshi i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave,  banorëve të kësaj njësie.

Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe  Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.

Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç;  Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos