Një debat i nisur për motive banale në një berberhane në lagjen Centocelle të Romës përfundoi në një ngjarje të rëndë. Sipas mediave italiane një 29-vjeçar shqiptar goditi me gërshërë në qafë berberin 24-vjeçar indian.
Ngjarja ndodhi në rrugën Filippo Parlatore, ku shqiptari me precedent penal, hyri në konflikt me punonjësin indian. Gjatë debatit, ai rrëmbeu një palë gërshërë dhe e goditi viktimën në qafë, duke e lënë të plagosur rëndë.
Viktima, megjithëse i plagosur rëndë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin Umberto I, ku është nën vëzhgim mjekësor.
Pas sulmit, autori u largua në këmbë, por u identifikua dhe arrestua nga karabinierët pak orë më vonë pas survejimeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të të pranishmëve.
Ai u kap mëngjesin e së nesërmes në një park në zonën Tor Sapienza.
Hetimet zbuluan gjithashtu se 29-vjeçari shqiptar ishte shpallur në kërkim, pasi kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak të caktuar nga gjykata për vepra të mëparshme, përfshirë trafik droge, falsifikim dokumentesh dhe rezistencë ndaj një punonjësi policie.
Aktualisht, ai ndodhet në burgun Rebibbia, nën akuzën për tentativë vrasjeje dhe pritet të dalë para gjykatësit në ditët në vijim. (A2 Televizion)