Pas pranverës kur trafikantët mbjellin bimët me kanabis, tashmë fillimi i verës është koha kur bima narkotike ka hyrë në fazën e rritjes. Ditët e fundit, Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në terren, nga veriu në jug, në bashkëpunim edhe me Guardia di Finanza.
Në terren kanë zbritur qindra efektivë në të 12 qarqet e vendit, të cilët po monitorojnë nga ajri me mbi 50 dronë me rezolucion të lartë. E ndërsa aty ku terreni është i vështirë apo bimët me kanabis nuk mund t’i fiksojë droni inteligjent, agjentët përdorin helikopterët.
Kontrollet intensive janë duke u kryer kryesisht në zonat malore, aty ku nga analiza e vitit të shkuar ishin edhe zonat me riskun më të lartë për të kultivuar drogë. Në fokus të policisë janë malësitë e Shkodrës, Dukagjini, malësitë e Krujës e të Dibrës, si dhe zonat në Tepelenë, Skrapar, Vlorë e jo vetëm.
Fokus i veçantë po i kushtohet edhe ambienteve të mbyllura, për shkak se vitet e fundit, trafikantët janë duke e mbjellë kanabisin në të ashtuquajtura ‘shtëpi bari’.
Sipas burimeve, gjatë aksioneve në terren deri më tani janë asgjësuar 7 mijë fidanë e bimë kanabisi, si dhe 2 mijë fara. Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë vit në Tiranë është ngritur edhe një laborator për përpunimin e të dhënave që do të përftohen gjatë kontrolleve.
Vitin e shkuar, në të gjithë vendin u asgjësuan nga monitorimet e përbashkëta 191 mijë rrënjë kanabisi. (A2 Televizion)