Paratë në foto janë gati 332 mijë euro dhe 2200 franga të mbërritura nga Italia në Shqipëri të fshehura në trupin e një autobusi.
Ky është vetëm një nga 30 episode të dokumentuara nga hetimi italo-shqiptar të transportimit të parave “cash” nga të akuzuarit e dosjes “Ura”, shkruan A2.
Fotoja e administruar si provë nga SPAK, ku shquhet edhe një shënim me shkrim dore i shumës së parave, është nxjerrë nga komunikimet në SKY ECC mes Ogert Shqevit dhe një personi të paidentifikuar. Pasi kishte marrë në dorëzim paratë e transportuara nga një autobus që ishte futur në Shqipëri nga pikëkalimi kufitar i Muriqanit, Shqevi raportonte për numërimin.
“Më ngecin tek makina se ke shum tvogla e jan shtremnu nga vakumi... vlla,, kaq dalin këto”, i shkruan ai personit me kodin SKY të paidentifikuar.
Kjo rezulton edhe shuma më e madhe e dërguari në një rrugë të vetme, por një pjesë e mirë e morisë së rasteve të dokumentuara, gati 3 milionë euro në total, dërgesat kanë qenë mbi 100 mijë euro. Sipas SPAK, pika thelbësore e transferimit të parave të trafikut të drogës drejt Shqipërisë përmes autobusëve ka qenë besimi i ndërtuar mes të dyshuarve dhe shoferëve të autobusëve.
Marrëdhënia bazohej në ekuilibrin e fitimit reciprok, pasi shoferët merrnin përqindje për çdo transport dhe sipas SPAK, nivelin e qëndrueshmërisë në këtë praktikë e tregonte mungesa e incidenteve. Në bisedat koordinuese për dërgimin dhe pritjen e parave, të dyshuarit përmedin specifikat e autobusëve, si në episodin e transferimit të 289 mijë eurove në korrik 2020, ku Ogert Shqevi saktëson një person “Musai e qujn ka nji bus ngjyr gri në kafe. T’ja marre dhe targën po të duash. Ashtu quhet ai shoferi autobus. Do takosh Musain shok”.
Ndërsa në këtë epispod të shtatorit 2020 për transferimin e 250 mijë eurove, Ogert Shqevi pyet Erind Laskun “sa jan” dhe tjetri, duke ju referuar paketimeve, i thotë “11 copë, si pash me trrejt po janë tgjitha tshkrujtme”.
Sipas SPAK, për secilin episod, komunikimet në SKY dhe fotot e shkëmbyra përputhen me hyrje-daljet në pikëkalimet kufitare të autobusëve, si edhe me veprimet hetimore të kryera në Itali, dokumentimi i mbledhjes dhe dorëzimit të parave në disa auto-grille, apo edhe rastet kur autobusët kanë ndryshuar itinerarin vetëm për të shkuar në vendet ku do të merrnin shumat e parave. (A2 Televizion)