Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të automjetit i janë gjetur dy pistoleta, me njërën prej tyre gati për qitje.
Ai është ndaluar në kuadër të operacionit “Transportuesi” pasi dyshohet se armët e zjarrit i kishte siguruar në Kosovë dhe më pas i ka trafikuar në Shqipëri, me qëllimin shitjen e tyre.
Më parë, në kuadër të këtij operacioni është vënë në pranga një 20 vjeçar nga Kosova, të cilit iu gjetën në mjetin tip “BMË” dy pistoleta.
Njoftimi i policisë:
Pas një punë intensive hetimore disajavore, ka vijuar operacionin i koduar "Transportuesi", dhe është goditur një tjetër rast i mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen e tyre.
Si rezultat në rrugën "Llazi Miho", u kap dhe u arrestua shtetasi K. (A). C. (Ç)., 44 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të automjetit që 44-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë i gjetën dy armë zjarri pistoleta, njëra prej tyre me fishek në fole, gati për qitje, një silenciator, krëhra e municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe një aparat celular.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 44-vjeçari, pasi ka siguruar armët e zjarrit në Kosovë, dyshohet se i ka trafikuar ato në Shqipëri, me qëllimin shitjen e tyre, te persona të tjerë. (A2 Televizion)