Trafikantët tre muaj në përgjim, lëviznin me makina të njëjta për të ngatërruar policinë

Nga Xhensila Kodra
1 Shtator 2025, 16:00 | Kronikë

Një seri përgjimesh telefonike dhe ndjekje të koduara nga policia arrestuan 4 persona të Tiranë me mbi 1 kg kokainë që do të shpërndahej në dy nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, Myslym Shyri dhe ish-Blloku, shkruan A2 CNN.

Përgjimet e kominukimeve të personave të arrestuar më herët nga Antidroga e Tiranës, bënë që në Tiranë të goditej një tjetër grup kriminal që merrej me shpërndarjen e shitjen e kokainës kryesisht në doza dhe në lokalet e natës. Bisedat mes këtyre personave bëheshin në WhatsApp. Ata komunikonin vetëm për lënien e vendit të takimit dhe më pas sesa do të ishte sasia e kokainës që do të shkëmbehej mes tyre, biseda vijonte në tavolinat e lokaleve.

Dy prej të arrestuarve, Armet Latifaj dhe Gëzim Pashaj tregoheshin të kujdesshëm në biseda, në mënyrë që të mos identifikoheshin nga agjentët për arsyen e vërtetë të takimit mes tyre. Madje, për të çorientuar policinë në rast ndjekjeje, dy të rinjtë përdornin makinat Benz me ngjyrë të bardhë të njëjta në tipe të ndryshme në targë.

Të rinjtë u mbajtën nën vëzhgim për 3 muaj me radhë. Hetimet zbuluan se Latifaj ishte personi që do të merrte sasinë e kokainës, ndërsa Pashaj personi që dyshohet se e kishte sjellë nga Greqi. Bashkë me ta u arrestuan edhe dy shtetas grekë të akuzuar për moskallëzim krimi, por që janë duke u hetuar nëse kanë ose jo lidhje me grupin e shpërndarësve të drogës. Gëzim Pashaj prej kohësh jetonte në Greqi, ndërsa më herët ka qenë i dënuar po për drogë në Zvicër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos