Tritol banesës në Tiranë, policia heton konfliktet për drogën

Nga Xhensila Kodra
2 Prill 2025, 16:57 | Kronikë

Tonin Qafa prej shumë vitesh jetonte në Amerikë dhe 3 muajt e fundit kishte që ishte kthyer në vendin tonë. Pak pas mesnate, rreth orës 00:35 minuta, banesa e tij shpërtheu me tritol. Persona ende të paidentifikuar kishin vendosur një sasi lëndë plasëse në portën e jashtme të shtëpisë.

Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si Bregu i Lumit, në Tiranë. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Për pasojë u dëmtua dera e jashtme e banesës, si dhe një automjet që ishte i parkuar aty pranë.

Mësohet se në vitin 2009 Tonin Qafës i kanë vrarë një vëlla dhe që prej asaj kohe, familja e tij me origjinë nga Fushë-Arrëzi u shpërngul në Amerikë.

Megjithatë, policia nuk e lidh shpërthimin me tritol me ngjarjen e asaj kohe. Por si pistë për zbardhjen e ngjarjen, hetuesit janë përqëndruar në konfliktet e mundshme që mund të ketë nipërit dhe djemtë e Tonin Qafës, të cilët jetojnë jashtë territorit shqiptar dhe dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e drogës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos