Është zbardhur ngjarja e ndodhur në Tiranë pak ditë më parë, ku u vendos një sasi tritoli në ambientin e jashtëm të një lokali.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 47-vjeçar, si autor i dyshuar i ngjarjes.
Po ashtu, janë sekuestruar veshjet e përdorura nga autori i dyshuar ditën e ngjarjes si dhe biçikleta që 47-vjeçari përdori për tu larguar, shkruan A2 CNN.
Teksa po punohet për kapjen e 47-vjeçarit, materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 25.03.2025, në rrugën “Mustafa Gaxheri”, ku plasi një sasi lënde plasëse në ambientin e jashtëm të një lokali.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim 47-vjeçari si autor i dyshuar i ngjarjes.
47-vjeçari me precedent të theksuar kriminal të mëparshëm.
Sekuestrohen veshjet e përdorura nga autori i dyshuar ditën e ngjarjes si dhe biçikleta që 47-vjeçari përdori për tu larguar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur me datë 25.03.2025, në lokalin në posedim të S. H, në rrugën “Mustafa Gaxheri”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes shtetasin R. M., 47 vjeç, banues në Tiranë.
Punohet intensivisht për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)