Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-shefit të Komisariatit të Lezhës, Dritan Metaj, duke e lënë kështu në burg. Metaj u arrestua gjatë operacionit “Flakë në det” dhe dyshohet se ka lidhje me grupin e Gëzim Çelës.
Ish-shefi i komisariatit dyshohet se ka lëvizur me makinën e policisë, të ashtuquajturin “baron i drogës”, dhe anëtarë të tjerë të grupit. Ai kryente rolin e transportuesit të anëtarëve kriminalë, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për t’i lëvizur pa i kontrolluar dhe dyshuar askush tek ata.
Metaj në dosjen e SPAK del me rol të rëndësishëm të trafikut të drogës, vijimësi e operacionit “Flakë në Det”, i nisur që më 15 gusht të këtij vitit. Dyshohet se për Metajn dhe Çelën janë zbuluar dhjetëra komunikime në celular, një pjesë e të cilëve u sekuestruan pasi u kap veliera në det duke u djegur.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 30.10.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 52 akti, datë 26.10.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e paraqitur nga i hetuari/ankuesi D.M., ndaj vendimit nr. 111, datë 10.10.2023 (në lëndë të masave të sigurimit) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 111 akti datë 10.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”, thuhet në njoftimin e Apelit të GJKKO.
(A2 Televizion)