Katër ditë pasi Gjykata e Durrësit vendosi arrest me burg për drejtoreshën e postës Elisabeta Mataj dhe izolim në shtëpi të vartësve të saj, janë zbuluar disa video mbi lëvizjet në zyrat e institucionit.
Pamjet i përkasin 14 janarit të këtij viti ku shefja e financës Valbona Duni duket se bashkë me disa shkresa merr dhe një qese të zezë, ndërsa ndodhet në ambientet e postës. Madje, gjatë lëvizjeve ajo këmbehet dhe me shefen e saj, Elisabeta Mataj, shkruan A2.
Materialet shkaktuan një reagim në rrjete sociale ku nuk mungojnë dyshimet dhe aludimet se në të janë para apo materiale të tjera.
Megjithatë, ato vijnë menjëherë pasi bashkëshorti drejtoreshës, Fetah Mataj, ka bërë dhe një kallëzim të hënën ku pretendon për veprime të paligjshme të shefes së financës. Madje ai thotë se ka bërë verifikime në rrugë private. Për situatën bashkëshortja i kishte treguar se vartësja lëvizte paratë në kundërshtim me ligjin.
Të shtunën kur dhe u morën masat e sigurisë prokuroria ngriti dyshime të forta ndaj Matajt duke u shprehur se ajo është parë dhe në kazino. Kjo pikë u kundërshtua nga drejtoresha e postës që e cilësoi një veprim që nuk shkel ligjet. Mataj shtoi se 700 mijë eurot e munguara i ka denoncuar ajo duke e drejtuar gishtin te dy vartëset dhe e cilësoi akuzën si hakmarrje. Nga ana tjetër shefja e financës dhe arkëtarja u mbrojtën duke deklaruar se paratë i merrte drejtoresha e tyre.
Megjithatë, prokuroria vazhdon hetimet mbi zhdukjen e fondeve të destinuara për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike në Krujë dhe në Shijak. (A2 Televizion)