Zbërthimi i aplikacionit SkyECC që është përdorur gjerësish nga personazhe të njohur të botës së krimit, duket si një thesar për autoritetet italiane dhe Prokurorinë e Posaçme lidhur me operacionin ndërkomëtar të trafikut të drogës me lëshimin e 52 urdhër arresteve.
Në dosjen voluminoze prej më shumë se 1300 faqe të antimafias italiane, janë zbërthyer komunikime të rëndësishme dhe vëzhgime ambientale që kanë identifikuar pjesëtarët e grupit kriminal, pjesa më e madhe e të cilëve shtetas shqiptar.
Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës kishte epiqendër dhe bazën në Durrës, dhe dy nëngrupe të tjera që vepronin në Puglia të Italisë, por edhe në Holandë.
Rol kyç në zbërthimin e anëtarëve të grupit kriminal kanë pasur 3 bashkëpunëtorë të drejtësisë. Në dosjen italiane, përmendet se në vendin tonë prokurorët e huaj kanë marrë në pyetje dëshmitarin e mbrojtur të drejtësisë shqiptare, Nuredin Dumanin. Ky i fundit ka bërë të mundur identifikimin e emrave më të lakuar të grupit, Elvis Doçin i njohur me nofkën “Visi i Pojës”, të Fatmir Troplinit, nipit dhe djalit të Xhevdet Troplinit, si dhe të Adi Çoba, të tre nga qyteti i Durrësit.
Sipas dosjes, Dumani identifikon nëpërmjet fotove Elvis Doçin, që sipas tij kishte një influencë të zgjeruar në trafikun e drogës. Dumani po ashtu flet edhe për Adi Çobën që në vendin tonë e njihnin me nofkën “Bazholi”.
Nga përgjimet janë dokumentuar 40 episodet e kalimit të lëndës narkotike nga vendet e origjinës drejt Italisë dhe më pas paratë e përfituara dërgoheshin në Shqipëri. Shoferët që merrnin përsipër dërgesat e parave paguheshin deri në 12% nëse vlera ishte e lartë, e deri në 4% nëse vlera e parave që transportohej ishte më e vogël.
Nga 52 urdhër arrestet e lëshuara u arrestuan 42 persona. 40 prej anëtarëve të rrjetit janë shqiptarë e 12 të tjerët italianë.
Ky grup kriminal ishte i ndarë në 3 nëngrupe. Baza kryesore në Durrës në krye të të cilit qëndron Elvis Doçi i njohur me nofkën Visi i Pojës, si dhe persona e tjetër, Erind Lasku, Adi Çoba e Redi Tusha. Rolet e tyre ishin të ndara që nga sigurimi i lëndës narkotike e deri dorëzimi i saj në destinacion.
Kokaina sigurohej në Amerikën Latine e më pas dërgohej në Itali por edhe në vende të tjera të BE-së. Ndërsa heroina që sigurohej në Turqi, kalonte tranzit nëpërmjet Shqipërisë dhe portit të Durrësit, për të shkuar më pas në Bari të Italisë.
Në kuadër të këtij megaoperacioni të koduar “Ura” janë sekuestruar 4.5 milionë para kesh, si dhe 7 milionë asete pasuri të paluajtshme. (A2 Televizion)