
Gjykata Administrative e Tiranës ka shortuar padinë e kryebashkiakut Erjon Veliaj kundër Presidencës dhe prokurorit Ols Dado. Shorti ka përzgjedhur gjyqtarin administrativ Hazbi Balliu për shqyrtimin e padisë. Veliaj kërkoi pavlefshmërinë e dekretimit të emërimit në detyrë të prokurorit të posaçëm Ols Dado, me pretendimin se nuk kishte ndjekur Shkollën e Magjistraturës.
Sipas Veliajt, emërimi i Ols Dados në vitin 2008 është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi ai, sipas pretendimeve, është emëruar prokuror pa kryer Shkollën e Magjistraturës, një kriter i domosdoshëm ligjor për ushtrimin e këtij funksioni. Veliaj thekson se Dado ka kaluar nga statusi i noterit direkt në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi në atë kohë.
Në padi thuhet se ky emërim i paligjshëm ka sjellë pasoja të rënda institucionale dhe administrative, jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, por edhe për Republikën e Shqipërisë në tërësi. Sipas kryebashkiakut, veprimet e ndërmarra nga Dado në ushtrimin e funksionit të tij si prokuror kanë ndikuar drejtpërdrejt në procese që lidhen me administrimin vendor dhe interesin publik. (A2 Televizion)