Një 22-vjeçar nga Kruja ka përfunduar pas hekurave pasi akuzohet se ka ndërtuar një skemë mashtrimi, ku janë përfshirë edhe 6 persona të tjerë.
Sipas Drejtorisë së Tatimeve grupi vepronte përmes lëshimit të faturave fiktive, dhe dëmi i përllogaritur ndaj shtetit shkon në 3 milionë euro dëm.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kapën dhe ndaluan shtetasin R. S., 22 vjeç, banues në Krujë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit, në vijim të hetimeve të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Skema”, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale "Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar".
Hetimet e kryera në kuadër të këtij operacioni identifikuan 7 shtetas, të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Shtetasi R. S. dhe 3 shtetas të tjerë, administratorë të disa subjekteve, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, të punësuar në këto subjekte, kanë mashtruar për të ardhurat/shpenzimet e deklaruara, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Kjo veprimtari kriminale dyshohet t’i ketë sjellë shtetit, rreth 3 milionë euro dëm ekonomik”, njofton policia. (A2 Televizion)