Pasi sfidoi për rreth 3 ditë kërkimet e forcave të specializuara të policisë, autori i vrasjes së policit në fshatin Baltëz, të hënën e kaluar, u vetëdorëzua, mbrëmjen e së mërkurës. Kjo është videoja e xhiruar nga familjarët kur e hipin Azgan Mërnicën në një automjet për ta dorëzuar pranë policisë së Fierit.
Siç shikohet edhe nga pamjet, Azgan Mërnica jo vetëm që nuk shfaq asnjë pendesë për krimin e kryer, por shikohet i qeshur, teksa zë vend në automjet. Pas këtij momenti, familjarët e kanë dorëzuar Mërnicën pranë efektivëve të RENEA, të cilët i kanë dalë përpara mjetit me të cilin po shkonte të dorëzohej autori i vrasjes.
Sipas të dhënave paraprake në momentin e dorëzimit, Azgan Mërnica ka qenë në qendër të fshatit Dërmenas, i cili ndodhet jo më shumë se 4 kilometra nga fshati Baltëz, ku ndodhi vrasja e efektivit të policisë Nevruz Cenaliaj. Kjo ishte edhe zona kur forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të mbështetura nga ato RENEA dhe efektivë të komisariatit të policisë së Fierit kërkuan intensivisht, por pa mundur do ta gjenin 23-vjeçarin.
Mësohet se menjëherë pas dorëzimit, Mërnica është marrë në pyetje nga grupi hetimor i kësaj çështje, por për momentin nuk bëhen të ditura detaje të kësaj dëshmie, apo sesi e ka justifikuar autori vrasjen e efektivit të forcave “Shqiponja”.
Gjithashtu, nuk bëhet e ditur nëse autori ka dorëzuar apo jo armën me të cilën ka kryer vrasjen, e cila është një provë mjaft e rëndësishme për dokumentin me prova të kësaj ngjarjeje, përveç dëshmive që mund të japë vetë autori i krimit. (A2 Televizion)