Vetëdorëzohet në polici Gëzim Allçi, i shpallur në kërkim për ngjarjen e Manzës

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2026, 12:33 | Kronikë

Vetëdorëzohet në polici Gëzim Allçi, i shpallur

Është vetëdorëzuar në policinë e Durrësit 31-vjeçari Gëzim Allçi, i cili ishte shpallur në kërkim për ngjarjen e tetorit 2025 në Manëz, ku mbetën të vrarë dy persona.

Sipas Policisë, ndaj tij ishte caktuar masa “Arrest në burg” për veprat penale lidhur me armët dhe përkrahjen e autorit të krimit. Policia bën të ditur se ai dorëzoi edhe një send në dukje armë sportive me gogla.

Vetëdorëzohet në polici Gëzim Allçi, i shpallur

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të datës 13.11.2025, e cila ka caktuar në mungesë masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit G. A., 31 vjeç, banues në Manëz, Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Shtetasi G. A. ishte shpallur në kërkim, i dyshuar si i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në tetor 2025, në Manëz, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy shtetas. Ky shtetas është vetëdorëzuar në DVP Durrës”, njofton policia.

Materialet u dërguan në Prokuroria e Durrësit për veprime të mëtejshme.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 22 tetorit në fshatin Manëz, në lokalin në pronësi të familjes së ish-administratorit të njësisë administrative. Sherri ka nisur në lokal mes Daniel Pepës dhe kamerierit të cilit i kërkonte të ndizte ekspresin për të bërë kafe.

Ajo që kamerat e sigurisë kanë pikasur është se disa minuta pas ngjarjes është shfaqur sërish Daniel Pepa, në vendin e ngjarjes, bashkë me Gëzim Allçin, i cili mbante në dorë një send që sipas policisë është armë zjarri pistoletë.

Daniel Pepa dhe Gëzim Allçi janë djem tezesh me njëri-tjetrin. Bashkë më ta kanë qenë edhe Taulant Beqaj dhe Emirjan Beqaj. Kanë qëndruar pak dhe më pas janë larguar me makinë drejt Maminasit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos