Një 46-vjeçar u gjet i vetëvarur në dhomën numër 8 të bllokut të sigurisë, aty ku ishte shoqëruar, pasi efektivë të komisariatit numër 3 e kishin ndaluar si të akuzuar për vjedhje. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 1 e 20 minuta pas mesnate.
Viktima u identifikua se Donald Greku me origjinë nga Berati por banues në Tiranë. 46-vjeçari u konstatua i vetëvarur me një copë rrobe (pjesë tutash) në rrjetën e dritares së dhomës. Punonjësi i policisë ka ndërhyrë menjëherë duke kërkuar ndihmë edhe nga punonjësit e tjerë. Njëri prej tyre, sipas policisë, ka prerë rrobën me të cilën ishte vetëvarur dhe menjëherë kanë njoftuar urgjencën. Shërbimi mjekësor, pasi ka mbërritur në bllokun e sigurisë ka konstatuar se ai kishte ndërruar jetë, shkruan A2 CNN.
Zyrtarisht policia deklaroi se 30 minuta para se Greku të gjendej i vetëvarur, pra rreth orës 00:50 minuta, punonjësi i shërbimit ka kryer kontroll rutinë dhe i ndaluari nuk ka shfaqur probleme apo shqetësime, shkruan A2 CNN.
46 vjeçari ishte arrestuar si i dyshuar për të paktën 20 vjedhje portofolash dhe celularësh në urbanët e kryeqytetit. Pas ndalimit, ai kishte deklaruar se ishte përdorues i lëndëve narkotike, e llojit heroinë. Por, pas vizitës në shërbimin e toksikologjisë, mjekët nuk kishin përcaktuar dozë metadoni, pasi dhe nga kontakti me qendrën “Aksion Plus”, ishte konfirmuar se ai nuk figuronte i regjistruar si përdorues i këtij medikamenti.
Ndërsa në rekomandimin mjekësor të lëshuar nga mjeku i bllokut të sigurisë, ishte vendosur qetësuesi Xanax, i cili i është dhënë 46-vjeçarit sipas rekomandimit.
Hetimet për ngjarjen e rëndë do të ndiqen edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për të zbuluar nëse nga punonjësit e policisë janë ndjekur ose jo veprimet e duhura. (A2 Televizion)