Dy grabitës nga Vlora janë arrestuar në kryeqytet në kuadër të operacionit të koduar “Reagimi”.
Policia e Tiranës ndaloi Arbnor Xhimaj dhe Lejdjan Gjokën, pasi dyshja në fjalë vodhën një kasafortë me 15 000 euro, në një banesë në zonën e “21 Dhjetorit”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Reagimi", për zbardhjen e rastit.
Si rezultat i operacionit u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: A. Xh., 40 vjeç dhe L. Gj., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë, të dënuar më parë për vjedhje. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. Xh. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”. Nga hetimet e kryera gjatë operacionit dyshohet se këta shtetas, më datë 02.06.2025, kanë vjedhur një kasafortë me 15 000 euro, në një banesë në rrugën ‘Muhamet Gjollesha’”, informon policia.
Të 2 të arrestuarit rezultojnë të dënuar më parë për vjedhje, madje njëri prej tyre ditën kur është kryer grabitja kishte masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën vepër penale.
Policia po ashtu ka sekuestruar automjetin e dyshuar të përdorur nga autorët, për të realizuar vjedhjen. (A2 Televizion)