Vrasja e 52-vjeçares në Pogradec, i dyshuari pranon lidhjen por jo krimin

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
29 Korrik 2025, 13:16 | Kronikë

“Jo, jo, nuk e kam vrarë unë”.

Kësaj deklarate të dhënë që në momentet e para të ndalimit si i dyshuari kryesor për vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teço, Ilirjan Selmani i ka qëndruar në mënyrë konfuze edhe gjatë orëve të marrjes në pyetje nga grupi i hetimit.

31-vjecari Selmani ka pranuar se kishte një lidhje intime prej të paktën 3 vitesh me viktimën dhe se diferenca prej 20 vitesh në moshë nuk ishte problem. Ai mësohet të ketë deklaruar se i mbante të lidhur dashuria dhe pija, pasi shpesh herë pinin dhe deheshin, shkruan A2.

I pyetur për momentet e fundit, Selmani është shprehur se ajo shpeshherë e godiste, por ky e duronte derisa në një moment nuk e ka duruar më. Por, me këtë nuk nënkuptonte që e ka vrarë.

Hetuesit janë pyetur se përse i kishte hedhur peshqirët dhe rrobat me gjak në kazanët e mbetjeve urbane dhe Selmani mësohet të jetë shprehur se këtë e kishte bërë pasi Kozeta ishte e fiksuar pas pastërtisë dhe se mendonte se ajo kishte therur pulë.

Në logjikën e dëshmisë, hetuesit pritet të kërkojnë edhe një ekspertizë psikiatrike, pasi ndryshe nga sa shprehet, veprimet e bëra prej tij për të humbur gjurmët, duke hedhur rrobat me gjak në koshat e mbeturinave dhe duke tentuar të djegë apartamentin për të inskenuar një ngjarje aksidentale, tregojnë se ka vepruar me logjikë të ftohtë.

Sakaq, edhe nëna e 31-vjeçarit është shprehur jashtë kamerave se djali i saj nuk ishte i dhunshëm dhe se viktima me të cilën djali i saj bashkëjetonte kishte edhe lidhje të tjera. Por, përballë këtyre deklaratave mohuese duket se grupi i hetimit ka siguruar provat e nevojshme që vertetojnë jo vetëm autorësinë e vrasjes së Kozeta Teços, por edhe dinamikën e ngjarjes të rindërtuar në bazë të provave materiale dhe pamjeve filmike të siguruara.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos