Gati 5 vite pasi i mbijetoi breshërive të plumbave drejt automjetit ku udhëtonte pranë mbikalimit të Shkozetit, ish-prokurori Arjan Ndoja, do të përballet në sallën e gjyqit me të akuzuarit si autorë të atentatit. Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Adnan Xholi, Gjykata e Posaçme ka njoftuar me shpallje publike ish-prokurorin, si palë të dëmtuar, për seancën paraprake ndaj 5 të akuzuarve për ngjarjen ku u plagos ai vetë, atë kohë prokuror në detyrë, bashkudhëtari Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut dhe shoferi Andi Maloku, që ndërroi jetë në spital pak ditë më vonë.
Seanca gjyqësore paraprake e caktuar për më 10 shtator, zhvillohet ndaj të dyshuarave si anëtarë të një grupi kriminal të përbërë nga Ramazan Rraja, Genti Ndrejaku, i njohur edhe si Kili ose Ekil Ndrejaku, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.
Ata u arrestuan më janar 2023, pasi SPAK siguroi nga autoritetet franceze komunikimet e tyre në SKY EÇ. Sipas hetimit të SPAK, pjesë e të njëjtit grup është edhe Plarent Dervishaj e Julian Meçe, të arrestuar në Dubai dhe transferuar në Shqipëri pak ditë më parë. Si viktima e të dëmtuar ngjarjen e atentatit ndaj prokurorit, GjKKO ka njoftuar për gjyqin edhe Rrumin e Shijakut, i shpallur në kërkim nga SPAK, dhe Genci Malokun, babai i viktimës Andi Maloku.
Në listën e të njoftuarve janë edhe Mitri Prifti dhe Vullnet Muça, i njohur dhe si Vullnet Muharremi, që dyshohet se kanë qenë shënjestra të grupit kriminal, pasi SPAK ka prova se janë siguruar kushte për vrasjen e tyre. Si palë e dëmtuar në këtë gjykim është ftuar edhe Luan Mata, babai i të shpallurit në kërkim nga SPAK, Ervin Mata, për shkak së të akuzuarit e dosjes në maj të vitit 2020 shpërthyen një sasi tritoli pranë një hoteli në pronësi të tij në Rrugën e Dibrës në Tiranë.
Gjykata e Posaçme njofton të dëmtuarit se kanë të drejtë të marrin pjesë në seancë personalisht, ose përmes një përfaqësuesi ligjor. (A2 Televizion)