Vrasja e Renato Hoxhës në Vlorë, arrestohet pas 4 muajsh një nga autorët

Nga A2 CNN
1 Gusht 2025, 15:01 | Kronikë

Katër muaj pas vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxha në Vlorë, policia ka arrestuar një nga autorët e dyshuar të ngjarjes që tronditi qytetin bregdetar. Policia sqaron se në prang për vrasjen e ndodhur në muajin prill, ka rënë Kleanth Bylyku (alias Armando Gega).

“Si rezultat i operacionit policor të koduar “Në gjurmë”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 27.04.2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç. Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim”, informon policia.

Personi i ndaluar sipas Bluve të Vlorës rezulton të jetë pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Ngjarja e rëndë, ku mbeti viktimë 58-vjeçari ndodhi mëngjesin e datës 27 prill, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës.

Në pamjet e ngjarjes të publikuara nga A2 CNN, shfaqet një person me kapuç, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së Renato Hoxhës dhe është kapur nga kamerat teksa largohet nga rrugica ku u krye edhe ekzekutimi i 58-vjeçarit.

Vrasësi ishte i pajisur me një maskë silikoni që i mbulonte të gjithë fytyrën, kishte vendosur një bark artificial, si dhe kishte mbajtur maskë AntiCovid dhe kapele për të fshehur çdo detaj të identitetit të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos