Vrasja e Klaudio Prendit, zbulohen detaje nga hetimet, shoqërohen disa persona

Nga Xhensila Kodra
9 Janar 2025, 11:35 | Kronikë

Dy muaj nga vrasja e Klaudio Prendit, djalit të ish-gjyqtarit Fran Prendi, policia e Tiranës ka shoqëruar gjatë ditëve të fundit të tjerë persona për ti marrë në pyetje. Burime nga grupi hetimor pohojnë se disa prej tyre janë të dyshuar të përfshirë në ngjarje, si autorë ose si porositës të krimit.

Pista kryesore që po hetohet vijon të jetë ajo e konflikteve për çështje borxhi. Personat për të cilët policia dyshon se janë autorë, brenda një viti kanë pasur dy sherre me Prendin.

Konflikti i tyre i fundit ka ndodhur një muaj para vrasjes, ku janë zënë me grushte e sende të forta. Ndërkohë, policia është ende në pritje të përgjigjes nga autoritetet greke për letër-porosinë që u kanë dërguar, pasi targa e mjetit të përdorur në vrasje ishte e vjedhur në Greqi.

Ndërsa makina që autorët më pas dogjën në Liqenin e Farkës, rezultoi të ishte e vjedhur në Tiranë. Klaudio Prendi u vra me armë me silenciator menjëherë sapo doli nga një lokal në zonën e Xhamllikut dhe hipi në makinën e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos