Argita Malltezi, vajza e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur këtë të enjte në mëngjes në Prokurorinë e Posaçme.
“Jam thirrur në lidhje me çështjen 193 të vitit 2024. Pasi të jap dëshminë do të jap edhe një deklaratë për ju”, u tha ajo gazetarëve para se të futej në godinën e SPAK.
Pas daljes nga SPAK ajo tha se ishte thërritur pasi ndaj saj kishte nisur procedim për kallëzim të rremë, ndaj gjyqtares Irena Gjoka. “Isha thirrur në funksion të çështjes 193 të vitit 2024. Mesa duket gjyqtarja Irena Maneku, Gjoka, ka kërkuar të hetohet për kallëzim të rremë ndaj meje dhe SPAK ka hapur procedim. Në një tentativë që duart të lajnë fytyrat që nuk mund të lahen, çdo tentativë për të mbyllur gojën e oponencës është një tentativë për të nxjerrë institucionet publike nga kontrolli publik, tentativë që do të dështojë. Kjo godinë shumë shpejt do të kthehet në një muze të turpit të kapjes së drejtësisë.
I jam referuar shkrimeve që ekzistonin në media që e akuzonin zonjën në fjalë për ato të cilat ajo nuk i kundërshton dot dhe nuk i ka kundërshtuar. Ajo megjithatë ka kërkuar që Dumani t’i lajë fytyrën. Vë në dyshim standardin e dyfishtë të kësaj godine këtu. Unë dhe Jamarbri kemi bërë disa kallëzime për çështje konkrete për falsifikim aktesh konkrete”, tha ajo. (A2 Televizion)