Vrasja e Pëllumb Metës, djali ndryshon dëshminë në gjyq: Babanë e vrau motra!

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2024, 12:58 | Kronikë

Hysen Meta, 24-vjeçari që akuzohet se vrau babanë e tij Pëllumb Meta ka ndryshuar dëshminë në sallën e gjyqit, teksa zhvillohet seanca për caktimin e masave të sigurisë për të, vëllain Amarildo dhe motrën e tyre Hygerta.

Pas zbulimit të ngjarjes së rëndë në Durrës, ku prej 2 javësh Meta ishte varrosur në oborrin e banesës prej tre fëmijëve të tij, ishte e bija 19-vjeçare që mori përsipër vrasjen e të atit.

Versioni për autorin u përmbys në komisariat, aty ku Hysen Meta u zbërthye para hetuesve duke thënë se ishte ai që ka shkrepur armën, duke shtënë 4 herë mbi babanë dhe jo vajza e familjes.

Vrasjen e kishim planifikuar më herët së bashku me motrën. Vendosëm për ditën e shtunë (10 Shkurt) sepse ishim të gjithë pushim. Babi ndodhej në një nga dhomat e shtëpisë i shtrirë. Në shtëpi ishim vetëm unë, motra dhe vëllai tjetër. Mami po merrej me punët jashtë shtëpisë. Më herët kishim siguruar të gjithë materialet që na duheshin për të mbështjellë trupin. Unë e qëllova babin katër herë në trup. Aty ishte dhe motra, ndërsa vëllai i vogël hyri në dhomë vetëm pasi dëgjoi të shtënat. Nuk u ndikuam nga situata dhe të tre vepruam për ta mbështjellë dhe groposur. Dy ditë më pas (12 Shkurt) lëviza makinën e babit drejt pishave në sektorin Rinia. Në kthim më mori vëllai. Donim që të besohej zhdukja e tij. Më pas më 13 Shkurt vendosa të denoncoj zhdukjen e babit. Babi ishte autoritar dhe i padurueshëm në familje. Nuk kishim rrugë tjetër. Mami nuk ka pasur dijeni për ngjarjen”, dëshmoi ai dy ditë më parë.

Sakaq ditën e sotme në gjykatë, 24-vjeçari tha se nuk e ka vrarë ai babanë dhe se duhet të flasë ai që e ka vrarë, duke drejtuar gishtin nga motra e tij Hygerta. Ai tha se në polici ka pranuar vrasjen e të atit sepse ka qenë në gjendje shoku.

Vetë Hygerta Meta tha në gjyq se babai i tyre ka qenë person i dhunshëm jo vetëm ndaj tyre por edhe mamasë. Sipas 19-vjeçares ajo kishte qenë prezente në një moment dhune ku babai godiste të ëmën. Hygerta tha dhe se në një rast tjetër ai kishte tentuar të bënte manovra me bombolën e gazit, duke tentuar ta vrasë bashkëshorten e tij në vendin ku gatuante.

19-vjeçarja rrëfeu po ashtu se kishte dijeni për armën e babait të saj. Sipas saj, ajo kishte marrë armën dhe babai i ka kërkuar llogari se ku shkon me këtë armë.

Sipas saj babai e pa dhe i tha “ik andej”. Më pas 19-vjeçarja e ka qëlluar. Shkak sipas djemve të familjes, por edhe vetë Hygerta Metës është bërë dhuna sistematike e babait dhe fejesa e pa dëshiruar prej saj.

Në përfundim të seancës, Hygerta Meta u la në burg vetëm për akuzën e asgjësimit dhe fshehjes së kufomës në bashkëpunim së bashku me vëllain e vogël Amarildo.

Ndërkohë, ndaj Hysen Metës u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”, nën akuzat e vrasjes ne marrëdhënie familjare, fshehje dhe asgjësim kufome dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, Policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje bashkëshorten e Pëllumb Metës, edhe pse ndaj saj nuk është ngritur asnjë akuzë. Blerina Meta nuk është lejuar të merrte pjesë në ceremoninë mortore të burrit të saj, pasi policia i trembej ndonjë konflikti të mundshëm mes vëllezërve të Pëllumbit dhe kunatës së tyre. Ndërsa 49-vjeçarja po hetohet në gjendje të lirë për ngjarjen, policia e Durrësit e ka shoqëruar deri në familjen e babait të saj në Laç.

Në ceremoninë e varrimit ka marrë pjesë vetëm vajza e madhe e familjes, e martuar në Krujë, ndërsa 2 vëllezërit e saj dhe motra ndodhen pas hekurave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos