Vrasja e Vajdin Lamajt e Klodian Saliut, dëshmon Kuliçaj: Përmendej emri i Shullazit

Nga Armand Bajrami
15 Janar 2024, 13:14 | Kronikë

Ish-zv drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, dëshmon në procesin ndaj Emiljano Shullazin dhe të pandehurve të tjerë për vrasjen e Vajdin Lamajt e Klodian Saliut.

“Në vitin 2008, Luftar Reçi më është drejtuar me një letër ku fliste për disa ngjarje të rënda në Dibër, si trafik armësh dhe vrasjesh në Tiranë dhe Durrës. Pas kësaj letre, unë kam marrë kontakt me të në burg bashkë me dy drejtorët Tonin Vocaj dhe Arjan Kurti. Nuk e kam intervistuar unë, sepse nuk e kisha detyrë funksionale. Për rastin u informua Prokurorja e Përgjithshme e kohës, Ina Rama dhe çështja u kalua për kompetencë në Prokurorinë për Krimet e Rënda”, dëshmoi Kuliçaj.

Nga ana tjetër, i pyetur nga i pandehuri Emiliano Shullazi nëse e përmendte emrin e tij në letër në lidhje me vrasjen e Vajdin Lamaj, Kuliçaj u përgjigj: Po e përmendte.

Në seancën e sotme u paraqiten si dëshmitare edhe dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, që kanë ekzaminuar gjendjen e Reçit me kërkesë dhe vendim të SPAK.

Në ekzaminimin e vitit 2022, ekspertët dolën në përfundimin se Luftar Reçi është i përgjegjshëm për ato çfarë ka deklaruar.

Dëshmia u shoqërua me debate të forta mes tyre dhe avokatëve të të pandehurve, të cilët nënvizuan se për bashkëpunëtorin Reçi ka pasur një tjetër akt-ekspertimi në 2013, ku ai rezulton depresiv dhe jo i besueshëm.

Avokatët kërkuan një ekspertizë të re me pedagogë të psikologjisë, profesorë, psikiatër, madje edhe me ekspertë të huaj për të vlerësuar gjendjen e tij mendore.

Në të njëjtën seancë, gjykata gjobiti me 5 mijë lekë të pandehurin Viktor Imeraj për shkelje të autoritetit të gjykatës. Gjatë dëshmisë së ekspertëve të IML, ai mori fjalën duke thënë:

“Zonjat s’mbakan mend, mos vuani nga skleroza, na thoni t’ju japim ilaçe?”

Ndërsa i pandehuri Emiljano Shullazi, referuar faktit se intervistimi i Reçit nga ekspertët e IML kishte zgjatur rreth 50 minuta pyeti: “Si ka mundësi, ju për 50 minuta intervistë, dolët në konkluzione për të, kurse ne këtu 4 orë kur u ballafaquam, s’arritëm ta kuptojmë?”

I pandehuri tjetër, Indrit Rusi pyeti njërën prej mjekëve: “A keni punuar në vitin 2016 në paraburgimin e Durrësit?”

Avokatët në proces pretenduan se ekspertiza për Luftar Reçin nga IML, është kryer nën presionin e SPAK dhe se mjekët kanë qenë në dijeni që ai ishte bashkëpunëtor i drejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos