Që nga mbrëmja e së dielës së kaluar kur në ballkonin e banesës së tij u ekzekutua me snajper me plumb në kokë, 23-vjeçari Gëzim Sinomati, Vlora i ngjan një qyteti në shtetrrethim. Forcat e policisë së Vlorës të mbështetura nga ato të FNSH dhe RENEA, përveç prezencës në rrugët e qytetit kanë zhvilluar kontrolle të herëpashershme në orare dhe vende të ndryshme të qytetit.
Gjatë orëve të fundit, burimet policore bëjnë të ditur se në kuadër të hetimeve për vrasjen e Sinomatit u shoqëruan për herë të dytë 15 persona, që dyshohet se ndër vite kanë pasur konflikte me familjen e viktimës, konkretisht babanë dhe xhaxhain.
Por pas orëve të gjata të mbajtura në Drejtorinë e Policisë, grupi i hetimit duket se nuk ka gjetur prova konkrete për implikimin e tyre në këtë vrasje të mirëorganizuar, duke i liruar sërish. Sakaq bëhet e ditur se policia ka identifikuar një automjet, i cili ka lëvizur pranë zonës ku autorët dyshohet se kanë djegur automjetin tip BMW që janë larguar nga vendngjarja.
Automjeti i cili ende nuk është gjetur, rezulton në pronësi të dy vëllezërve nga qyteti i Elbasanit, të cilët pas marrjes në pyetje janë shprehur se e kanë shitur atë automjet në Vlorë, por ende nuk kishin bërë akt-shitblerje. Edhe në këtë drejtim, policia nuk ka një pistë konkrete, nëse realisht me këtë automjet kanë dalë nga Vlora autorët e dyshuar, apo thjesht ka qëlluar rastësisht në atë perimetër që ka verifikuar policia. Përveç forcave të shumta policore, prej ditësh në këtë qytet po qëndrojnë edhe drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit të cilët po drejtojnë operacionet për zbardhjen e kësaj vrasjeje. (A2 Televizion)