Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se ndihmuan Gerald Shehun, autorin e ngjarjes kriminale të ndodhur ditën e djeshme, në Dhërmi, për të fshehur trupin e pajetë të shtetasit Eraldo Nevruzi.
“Nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dyshohet se autori, shtetasi G. Sh., pasi e ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. N., është ndihmuar për të fshehur trupin, nga 2 punonjës të hotelit të tij, shtetasit Daniel Qose, 33 vjeç dhe David Larti 30 vjeç, të dy banues në Korçë”, tha policia.
Policia thotë se nga këqyrja e banesës ku qëndronte shtetasi Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, u gjet 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.
Në funksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasin G. Sh., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për shtetasit D. Q. dhe D. L., për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.
Minutë pas minute, si u ekzekutua i riu nga shoku i tij në Dhërmi, pistat e dyshuara
31-vjeçari Eraldo Nevruzi është ekzekutuar në brendësi të një dhome hoteli në Dhërmi. Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është identifikuar nga policia e Vlorës si 43-vjeçari Gerald Shehu.
Të dy personat kanë qenë në brendësi të hotelit “Greccia” në Dhërmi kur dyshohet se janë konfliktuar. Gerald Shehu ka nxjerr armën dhe dyshohet se e ka goditur me një plumb në kokë. Më pas e ka mbështjellë trupin me çarçaf dhe e ka futur në brendësi të makinës së tij.
E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së hotelit. 43-vjeçari më pas është larguar me automjetin tip Audi A8 në drejtim të Greqisë me targa angleze. Autori ka hedhur trupin e viktimës diku përgjatë itinerarit në drejtim të Greqisë dhe më pas është futur në territorin grek.
Policia ka marrë informacione nëpërmjet sistemit TIMS për lëvizjen e 43-vjeçarit dhe ka nisur kërkimet falë edhe bashkëpunimit më shtetin grek. Pas disa orëve nga ngjarja në fjalë është arrestuar në aeroportin e Korfuzit 43-vjeçari Shehu teksa kishte prerë biletat për të ikur në drejtim të Anglisë.
Automjeti i autorit është gjetur në lagjen nr. 4 Sarandë. Pas arrestimit për autorin po punohet për ekstradimin e tij. Pistat të cilat dyshohet se ka ndodhur ngjarja në fjalë janë konflikt i çastit si dhe prishje e pazareve të drogës.
Viktima dhe autori kishin njohje në Angli ku dyshohet se mund të jenë përfshirë në botën e krimit. 31-vjeçari Eraldo Nevruzi kishte një javë që kishte filluar punë në hotelin në fjalë.
Recepsionistja e cila ndërroi turnin me të një ditë më parë, Paola Spahiu thotë se ishte djalë i lëvizshëm teksa nuk di asgjë rreth ngjarjes.
Sipas saj, një javë më parë Eraldo Nevruzi ka kërkuar punë duke filluar normalisht teksa nuk di çfarë lidhje ka patur me pronarin e hotelit.
Policia e Vlorës ka vazhduar përgjatë gjithë kohës kërkimet në zonën e Dhërmiut dhe Vunoit, por edhe përgjatë fshatrave të bregdetit. Gerald Shehu ishte dhëndri i pronarit të hotelit bashkëpronar në njësinë e biznesit. Në automjetin e autorit nuk është gjendur arma e zjarrit. (A2 Televizion)