Vritet me armë zjarri polici i "Shqiponjave" në Baltëz të Fierit, shkak një sherr i çastit mes tij dhe autorit

Nga Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
13 Maj 2024, 13:53 | Kronikë

Një konflikt i çastit i ka marrë jetën një punonjësit të policisë, pjesë e forcës “Shqiponja” në fshatin Baltëz të Fierit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesditës së kësaj të hëne, ku sipas policisë, një konflikt i çastit ka gjeneruar në përdorimin e armës nga një shtetas i cili ka qëlluar për vdekje punonjësin e policisë, 28-vjecarin Novruz Cenaliaj.

Menjëherë pas marrjes në njoftimit drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta policore përfshirë edhe ato RENEA, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë nisur operacionin për kapjen e autorit të dyshuar të kësaj vrasje, që është identifikuar si Asllan Azgan.

Në momentin e krimit, viktima ishte i veshur me uniform policie, por sipas të dhënave paraprake nuk ishte në shërbim pasi po shkonte për të marrë detyrën.

Ndërsa autori i dyshuar është larguar me shpejtësi me një auto veturë ngjyrë blu. Grupi i posaçëm hetimor, ka nisur marrjen e provave në vendngjarje si dhe pyetjen e dëshmitarëve, ndërsa ende nuk ka të dhëna të sakta mbi motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Fier/Informacion paraprak: Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.

Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit. Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Fierit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos