Policia rrugore e Parmës arrestoi një korrier shqiptar droge, pasi gjeti të fshehura në makinën me të cilën ai udhëtonte, 14 kg kokainë.
Lënda narkotike do të kishte sjellë një fitim që është përllogaritur në mbi një milion euro, raporton A2.
Automjeti me të cilin transportohej kokaina u ndalua nga policia në autostradën A1, pranë Fidenzës, gjatë një patrullimi rutinë.
Kontrolli i shasisë së mjetit dhe hetimet e mëtejshme nga policia bënë të mundur identifikimin e dallimeve strukturore në bagazhin e makinës ku ishte krijuar një fund fals në të cilin ishin fshehur 12 pako kokainë, shkruan A2.
Shtetasi shqiptar, pronar dhe drejtues i mjetit, u arrestua në flagrancë nën akuzë për trafik droge dhe u dërgua në burgun e Parmës, në dispozicion të Prokurorisë Publike të Parmës e cila koordinon veprimet hetimore. (A2 Televizion)